|
Ecja para pak ditësh nën një diell të mrekullueshëm në bregdetin e Golemit dhe ndala për një çast të shoh vijën bregdetare sa të kapte syri. Ishte një ditë e kulluar, pa avuj e pa tymra dhe mund të shihej thuajse gjithçka nga njëri kep në tjetrin të Gjirit të Durrësit. Pamja më ngjau me një makth, sepse kisha disa vjet pa qenë aty. Pyjet halore ishin zëvendësuar më shumë se në gjysmën e tyre nga disa kube bardhë në gri – veprimtaria ndërtuese e shqiptarëve në fare pak kohë. Me atë shpejtësi që kishte ecur përmbytja e natyrës nga masa e hekur-betonit, shumë shpejt krejt Gjiri do të ketë vetëm dy ngjyra: bardhegrinë e ndërtimeve dhe verdhokafen e kodrave të rrjepura mbi ato pallate.
|